Në Londër ka nisur eksodi i diplomatëve rusë dhe familjeve të tyre, të cilët po lënë Britaninë e Madhe pasi u dëbuan për shkak të sulmit me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus në Salisbury.
Medie të ndryshme transmetuan pamjen e makinave dhe furgonave, që dilnin rresht nga Ambasada e Rusisë në kryeqytetin britanik.
Mbretëria e Bashkuar dëboi 23 diplomatë rusë, pasi kryeministrja Theresa May tha se Rusia është fajtore për helmimin me agjent kimik të Sergey Skripalit dhe vajzës së tij Yulia.
Veç dëbimit të diplomatëve, pritet gjithashtu që Londra zyrtare të diskutojë, e mbase të vendosë, edhe sanksione të tjera ndaj Rusisë.
Sigurisht, Moska ka mohuar çdo përfshirje dhe i bëri thirrje Anglisë që të provojë fajin e saj, ose të kërkojë falje.
Me që nuk pranon të ketë dorë në sulmin ndaj ish-spiunit rus, Moska e cilësoi dëbimin e diplomatëve një gabim trashanik dhe është përgjigjur në të njëjtën mënyrë, duke dëbuar 23 diplomatë britanikë që kanë kohë deri të shtunën të largohen nga Rusia.
Kremlini madje ka vendosur të mbyllë Këshillin Britanik në Rusi dhe Konsullatën britanike në Shën Pjetërburg.
Analistët thonë se, nëse Londa merr masa të tjera, atëherë do të nisë një fërkim diplomatik të pafundëm me Rusinë. Por, nëse nuk bën asgjë rrezikon edhe më shumë, pasi palë të caktuara mund ta akuzojnë për dobësi.
Top Channel