Skandali i të dhënave po i kushton shtrenjtë “Facebook”-ut. Gjiganti i rrjeteve sociale, i themeluar nga Mark Zuckerberg, ka pësuar humbje të mëdha në bursë me një rënie prej gati 7%, që fshiu miliarda dollarë nga vlera e kompanisë, e problemi nuk mbetet me kaq.
“Facebook”-u, sipas CNN-it po përballet sot me një krizë ekzistenciale. Do të duhen përpjekje herkuliane, që pas aferës së “Cambridge Analytica”-s, kompania e “Sillicon Valley”-t të arrijë të rikthejë të plotë besimin publik lidhur me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave.
Zuckerbergu vazhdon të heshtë përballë situatës dramatike, thirrjeve për hetim dhe fushatës që po zhvillohet me hashtagun “#DeleteFacebook”, apo “Fshijeni Facebookun”.
Vet bashkëthemeluesi i “Cambridge Analytica”, i kthyer në informator, Christopher Wylie është bllokuar përkohësisht nga “Facebook”-u , “Instagram”-i dhe “WhatsApp”-i, pas pohimeve të bëra mbi firmën e analizimit të të dhënave, që akuzohet se ka mbledhur informacione personale të miliona përdoruesve të gjigantit të platformave sociale dhe se nisi një të ashtuquajtuar luftë kulturash gjatë presisencialeve amerikane të vitit 2016.
I pyetur nga NBC, nëse me aktivitetin e saj kompania ka ndihmuar në zgjedhjen e Donald Trumpit, Wylie përgjigjet se qëllimi ishte të shfrytëzohej gjithë çfarë dihej mbi përdoruesit e “Facebook”-ut dhe të shënjestroheshin ato që ai i quan “demonët e tyre të brendshëm”.
“Cambridge Analytica” punon për krijimin e një faqeje interneti dezinformuese “online”, në mënyrë që njerëzit të bien në kurth e të klikojnë në blogje, faqe të tjera, etj., të cilat i bëjnë të mendojnë se disa gjëra po ndodhin, por ato mund të mos jenë ashtu siç duken.
“Të dhënat, – thekson Wylie, – janë keqpërdorur nga kompania dhe besoj se, për këtë ajo duhet hetuar”.
Me qëllimin për të qetësuar këtë stuhi, “Facebook” ka pajtuar një firmë auditimi, e cila do të verifikojë nëse të dhënat e përftuara nga “Cambridge Analytica” janë shkatërruar apo ekzistojnë ende.
Duke u hequr si biznesmen nga Sri Lanka, një reporter i televizionit “Channel 4 News” e regjistroi kreun e “Cambridge Analytica”, Alexander Nix, duke dhënë shembuj të mënyrave sesi firma e tij mund të diskreditonte rivalët politikë përmes fushatave dëmtuese, përfshirë kurthet apo sajimin e situatave të xhiruara të mitmarrjes, por vet Nix i hodhi poshtë me forcë të tilla pretendime, me argumentin se natyra e bisedës i është keqprezantuar publikut.
Top Channel