Autoritetet amerikane po hetojnë nëse një pako-bombë, që shpërtheu të martën në depon e kompanisë “FedEx” në Teksas, ka lidhje me atë që dyshohet të jetë një vënës serial bombash.
Incidenti i fundit ndodhi në zonën Schertz, 100 km në jug të qytetit Austin, ku 4 bomba të tjera kanë vrarë dy njerëz gjatë javëve të fundit.
Policia amerikane tha se, në incidentin e fundit në depon e “FedEx”, një person u plagos fare lehtë.
FBI-ja, e cila është angazhuar në hetim, beson se shpërthimet janë kryer nga i njëjti person, duke dyshuar për krime seriale.
Autoritetet thanë se bombat dërgohen me pako në adresa dhe për persona të ndryshëm, që në dukje nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin.
Hetuesit njoftuan se të gjitha pakot kanë qenë të mbushura me copa metalike, për të shkaktuar më shumë dëm, një tjetër detaj që bën të dyshohet për një autor që i ka kryer të gjitha sulmet.
Pakot-bomba janë vendosur jo vetëm në kompani, por janë dërguar edhe në adresa njerëzish, ku kanë shkaktuar dy viktima.
Sulmet e para kishin në objektiv njerëz me ngjyrë dhe autoritetet dyshuan për sulme me motive raciste. Por, në sulmet e tjera, viktimat ishin të bardhë, aziatikë dhe hispanikë, duke treguar se vënësi i dyshuar serial i bombave e ka inatin me të gjithë botën.
Ndërsa hetimet vazhdojnë, banorëve të Austinit në Teksas u është kërkuar të tregohen të kujdesshëm dhe të raportojnë për pako të dyshimta.
Top Channel