Vladimir Putin ka marrë urimet e një sërë udhëheqësve botërorë pas triumfit në zgjedhjet e së dielës, që i garanton edhe 6 vite të tjera të rehatshme në krye të shtetit rus.
Por, ndërsa vende si Kina, Irani, Japonia, Venezuela, Bjellorusia, Bolivia e Kuba nxituan ta përgëzonin udhëheqësin rus, Perëndimi vonon në reagimin e tij.
I vetmi sinjal vjen nga zëdhënësi i Angela Merkelit, Steffen Seibert, që thotë se Kancelarja do t’i dërgojë një telegram së shpejti.
Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini zgjodhi ta anashkalonte subjektin e votimeve, duke përmendur vetëm helmimin e ish-agjentit rus, një gjest sipas saj krejtësisht i papranueshëm.
Vëzhguesit europianë theksojnë se, zgjedhjet u realizuan me efiçencë, megjithatë mungesa e opsioneve reale të përzgjedhjes ishte fare e qartë për ta.
Fitorja e Putinit, në fakt ishte lehtësisht e parashikueshme, në vazhdën e një gare ku praktikisht nuk pati përballë asnjë kandidat serioz. Udhëheqësit kryesor të opozitës, Alexei Navalny i ishte ndaluar pjesëmarrja dhe për njeriun që e sundon vendin prej 18 vitesh, qoftë si kryeministër, qoftë si president, dalja në krye nuk ishte e vështirë.
Rezultatet paraprake tregojnë se Putin siguroi 76.6 % të votave. Ai vet e bëri të qartë se po planifikon ndryshime në qeveri, duke përfshirë këtu edhe postin e kryeministrit të mbajtur nga ish-kreu i shtetit, Dmitry Medvedev, i cili ndërroi vendet me Putinin në vitin 2012.
Dhjetëra shembuj parregullsish u postuan “online”, përfshirë atë të një komisionereje të regjistruar në kamera duke hedhur në kuti vota të plotësuara më parë, por ato zor se mund të përbëjnë një shqetësim për ish-agjentin e KGB-së, që çimenton kështu postin e tij në Kremlin.
Top Channel