Marrëveshje për “Brexit”-in. Brukseli e Londra bien dakord për divorcin

19/03/2018 14:46

Mbretëria e Bashkuar dhe blloku europian kanë rënë dakord me pjesën më të madhe të marrëveshjes, që do të prodhojë një tërheqje të rregullt të Britanisë nga BE-ja. Një hap i rëndësishëm përpara ky, i njoftuar prej negociatorit të Brukselit për “Brexit”-in, Michel Barnier.

“Të dyja palët, – sqaroi ai, – janë pajtuar me idenë e një periudhe tranzicioni, gjë që konsiderohet e një rëndësie kyçe”.

Komentet e tij, Barnier i bëri pas takimit me Sekretarin britanik për “Brexit”-in, David Davis. Periudha në fjalë do të nisë nga ajo që etiketohet si “dita e Brexit”-it, 29 mars 2019, dhe është konceptuar të zbusë rrugën drejt një marrëdhënieje të përhershme partneriteti.

“Kompromis është arritur – sipas Barnier, – edhe në raport me të drejtat e 4.5 milionë qytetarëve të BE-së në Britaninë e Madhe dhe 1.2 milionë qytetarëve britanikë në bllokun europian, pas realizimit të shkëputjes”.

Ndërkohë, mbetet ende punë për të bërë në lidhje me disa pika kyçe, siç është kufiri i Irlandës së Veriut apo Gjibraltari. Si Londra, ashtu edhe Brukseli shpresojnë që parimet e marrëveshjes mbi periudhën kalimtare të marrin “dritën jeshile” të udhëheqësve të bllokut gjatë samitit të tij këtë javë.

“Ky nuk është megjithatë fundi i rrugës”, paralajmëron Barnier. “Tranzicioni, – shton ai, – do ta ketë kohëzgjatjen të limituar”.

Palët shpresojnë që po të miratohet marrëveshja e tranzicionit, atëherë negociatat do të mund të fokusohen te natyra e marrëdhënies së përhershme që do të ketë Britania me BE-në, me qëllimin që pakti të marrë “dritën jeshile” në vjeshtë, duke u dhënë kështu kohë vendeve anëtare të bllokut dhe Parlamentit britanik ta ratifikojnë përpara “Brexit”-it, marsin e vitit që vjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA