Konfindustria shqiptare mirëpret kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar përsa i takon programit “1 miliard euro” të Qeverisë, por thotë se ato janë të vonuara.
“Konfindustria, duke i mbeshtetur parimisht vlereson, se kritikat per projektin e ashtuquajtuar “1 miliard euro”, janë të vonuara në kohë. Qeveria shqiptare, me miratimin e 2 projekteve të para me vlerë afërsisht 500 milionë euro, që do të financohen me skemën e e partneritetit publik-privat, i ka vënë institucionet ndërkombëtare përballë faktit të kryer”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga Konfederata e Industrive të Shqipërisë.
Ndërhyrja, vijon Konfindustria, duhet të kishte ndodhur në kohën kur qeveria shpalli këta strategji të saj dhe vonesën e krahason me rolin e FMN me piramidat në vitet ’90.
“Duhet të ishte shprehur në mënyrë shumë më të qartë dhe pikërisht në kohën e shpalljes të strategjisë “1 miliard euro” pothuaj 1 vit më parë. Vonesa në kohë e ndërhyrjes së FMN në rastin në fjalë mund të krahasohet vetëm me rolin e saj në ngjarjet tragjike të piramidave financiare të viteve ‘90 të shekullit të kaluar”, vijon deklarata.
Konfindustria thotë se në këtë strategji të Qeverisë nuk ka procedura të qarta ligjore të përzgjedhjes së projekteve, kompanive apo garancive financiare e për këtë paralajmëron kosto për ekonominë e vendit në periudhën afatmesme e afatgjatë.
“Projektet e mësipërme mund të sigurojnë një rritje ekonomike të përkohshme dhe të paqëndrueshme, që rrezikojnë të prodhojnë pasoja në afatmesëm dhe afatgjatë për biznesin e ndershëm, buxhetin e shtetit dhe mirëqënien e qytetarëve”, mbyllet deklarata.
Top Channel