Erdogan-Parlamentit Europian: Deklarata juaj na hyn në një vesh dhe na del nga tjetri

16/03/2018 21:45

Ankaraja reagoi me zemërim ndaj një mocioni të Parlamentit Europian, që i bën thirrje Turqisë t’i japë fund ofensivës ushtarake në Afrin të Sirisë, kundër milicisë kurde. Në mocion citoheshin shqetësimet për qindra mijëra civilët e bllokuar në Afrin, të rrethuar nga forcat turke për thuajse dy muaj. Por përtej zhurmës diplomatike, si Bashkimi Europian, edhe Ankaraja duken të preokupuar për përmirësimin e marrëdhënieve.

Duke folur në Pallatin Presidencial, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ju drejtua përfaqësuesve nga i gjithë vendi dhe e hodhi poshtë me përçmim mocionin e Parlamentit Europian.

“Ne do të largohemi nga Afrini kur të përfundojmë punën. Çfarë po bëni ju anëtarë të Parlamentit Europian? Deklarata juaj na hyn në një vesh dhe na del nga tjetri. Çfarë barre keni ndarë ju me ne për strehimin e 3.5 milionë sirianëve?”- tha Presidenti turk.

Thirrja e zotit Erdogan vjen në mesin e shqetësimeve për rritjen e krizës humanitare për qindra mijëra civilë të bllokuar në qytetin Afrin.

“Që nga mesnata, 18 civilë, mes tyre 5 fëmijë u vranë nga artileria turke në Afrin,”- deklaroi të premten grupi Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Ankaraja mohon me forcë të jenë vrarë civilë që nga fillimi i operacionit, megjithë përdorimin prej saj të artilerisë dhe sulmeve ajrore. Avionët turq hodhën fletushka në Afrin këtë javë, ku u bëhej thirrje civilëve të largoheshin nga qyteti dhe të mos lejonin që të përdoreshin si mburoja njerëzore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA