Një bukëpjekës francez është gjobitur me 3 mijë euro sepse e ka hapur biznesin e tij shtatë ditë të javës, duke shkelur rregullat e punës.
Cédric Vaivre, që zotëron të vetmen furrë buke në Lusigny-sur-Barse në Francën veri lindore, e ka hapur atë çdo ditë gjatë verës së 2017 për t’i shërbyer turistëve.
Një rregull lokal në fuqi që prej një dekade, i ndalon furrat e bukës të hapen shtatë ditë të javës. Pronari, raportohet se po refuzon të paguajë gjobën dhe se komuniteti në të cilin ai jeton, përfshirë edhe kryebashkiakun lokal, e mbështesin.
“Nuk ka asgjë më të keqe se sa dyqane të mbyllura atje ku ka turistë”, thotë kryebashkiaku. Ai shpreson të takohet me zyrtarin e departamentit francez të thesarit që ka vendosur gjobën. Po ashtu, një peticion në mbështetje të bukëpjekësit 41-vjeçar, është firmosur tashmë nga më shumë se 2 mijë persona.
“Unë vetëm kam bërë punën time”, thotë pronari, sipas të cilit ai thjeshtë kishte dashur që furra e tij të ishte e hapur çdo ditë, gjatë verës, për të plotësuar kërkesat e turistëve. Qyteza me 2 mijë banorë pret një fluks të konsiderueshëm turistësh gjatë verës për shkak të liqeneve dhe një parku të mbrojtur kombëtar.
Top Channel