Prej 17 vitesh, Aida Ziaj shërben si infermiere në ambulancën e fshatit Çepo të Gjirokastrës. Ajo i shërben rreth 270 banorëve në këtë zonë.
Dhoma ku është vendosur ambulanca nuk ka energji elektrike, ujë dhe tualet, ndërsa lagështia e bën atë të papërshtatshme për vizita. Aida shkon shtëpi më shtëpi për të kontrolluar të vegjlit, për t’u matur tensionin të moshuarve dhe për të bërë injeksione.
“Duhet të ketë drita, ujë, tualet dhe një restaurim”, shprehet Aida.
Në njësinë Cepo, Aida nuk është e vetmja punonjëse e shëndetësisë që përballet me kushte të papranueshme. Nga 13 fshatra të kësaj njësie, 3 nuk kanë fare ambulancë, ndërsa 3 të tjerë i kanë godinat në gjendje kritike.
Të gjitha ambulancat, thotë mjekja përgjegjëse për qendrën shëndetësore në Çepo, Englantina Zhegaj, kanë nevojë për ndërhyrje, ndërsa ambulancat në Paleokastër, Zhulat dhe Taroninë kërkojnë rikonstruksion total.
“Kemi 3 ambulanca në gjendje kritike. Kemi bërë kërkesa dhe na është premtuar për rikonstruksion. Njëra kërkon rikonstruksion të plotë, ndërsa dy të tjerat duan rikonstruksion të pjesshëm”, deklaron Zhegaj.
Në të gjithë territorin e Çepos jetojnë rreth 4000 banorë. Ritmi i reduktimit të popullsisë dhe braktisjes së krahinës është shumë i lartë për shkak të varfërisë, vështirësive në infrastrukturë dhe pamundësisë për të marrë shërbim shëndetësor në zonat e thella.
Top Channel