Stephen Hawking, i cili u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, ishte shkencëtari më i famshëm britanik i kohëve moderne, një gjeni që ia dedikoi jetën zbulimit të sekreteve të Universit.

I lindur më 8 janar të vitit 1942, 300 vite pas vdekjes së babait të shkencës moderne, Galileo Galilei, ai besonte se shkenca ishte fati i tij.

Por, fati u tregua edhe i ashpër me të. Pjesën më të madhe të jetës, ai e kaloi në një karrige me rrota, i prekur nga skleroza laterale amiontrofike, “ALS”, një sëmundje e rrallë e neuroneve motorike që prek nervat që kontrollojnë lëvizjet.

Sidoqoftë, ai sfidoi parashikimet e mjekëve, që i kishin dhënë atij vetëm pak vite jetë, duke kapërcyer pamundësinë e tij për të lëvizur e folur, dhe e bëri këtë duke komunikuar përmes një sintetizuesi të zërit.

“Shpesh më pyesin: Si ndihesh me sëmundjen që ke?”, shkruante ai dikur.

Dhe përgjigjja e tij ishte “Nuk më pengon shumë. Përpiqem të kem një jetë normale dhe nuk mendoj për gjendjen time, as nuk më vjen keq për gjërat që nuk mundem t’i bëj, që nuk janë edhe aq shumë”.

Në fakt, Hawking ishte shumë larg normales. Brenda “grackës” së trupit të tij të palëvizshëm kishte një mendje të mprehtë, të magjepsur pas Universit, krijimit dhe fundit të tij.

“Qëllimi im është i thjeshtë, – thoshte ai. – Një kuptim i plotë i Universit, përse ai është siç është dhe përse ekziston”.

Puna e tij u përqëndrua kryesisht te bërja bashkë e Relativitetit, natyrës së hapësirës dhe kohës, dhe Teorisë Kuantike, si grimcat e vogla në univers lëvizin, për të shpjeguar krijimin e Universit dhe funksionimin e tij.

Hawking ishte martuar me Jane Wilde në vitin 1965 dhe kishte 3 fëmijë. Çifti u nda 25 vite më vonë dhe ai u martua me infermieren Elaine Mason, por edhe kjo martesë dështoi. Jeta e Hawking është trajtuar edhe në një film të vitit 2014, “Teoria e gjithçkaje”, që u vlerësua madje edhe me çmimin “Oscar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA