Britania dëbon 23 diplomatë rusë, May: Oficerë të padeklaruar të shërbimeve sekrete

14/03/2018 13:57

Rusia shpallet formalisht shteti fajtor për tentativën e vrasjes së ish-spiunit rus, Sergei Skripal, pasi dështoi të jepte informacione brenda ultimatumit që skadoi në mesnatë nga ana e Britanisë së Madhe.

Theresa May, duke folur përpara deputetëve të Parlamentit britanik njoftoi një seri masash ndëshkuese ndaj Rusisë, ku më e rënda është ajo e dëbimit të 23 diplomatëve rusë, të quajtur prej saj si “oficerë të padeklaruar të shërbimeve sekrete”, si dhe ngrirja e çdo kontakti të niveleve të larta me Moskën zyrtare.

Kryeministrja britanike u shpreh se rasti i helmimit të ish-spiunit rus nuk është një çështje që prek thjesht e vetëm një shtetas rus me nënshtetësi britanike, por përbën shkelje flagrante të konventave për parandalimin e armëve kimike, ndaj kërkoi një kundërpërgjigje ndërkombëtare.

May shtoi gjithashtu se nuk ka vend për elitat e korruptuara në Britani, duke paralajmëruar se asetet financiare të shtetasve rusë në vendin ishullor do të ngrihen, nëse rezultojnë të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare britanike.

Dëbimi i 23 diplomatëve rezulton të jetë më i rëndi në 30 vitet e fundit në ishull, ndërsa atyre iu është dhënë një javë kohë për t’u larguar nga vendi.

Ndërkohë, qeveria britanike ngarkohet me detyrën për të hartuar një legjislacion për të mbrojtur Britaninë e Madhe nga aktivitetet shtetërore armiqësore. Qeveria do të konsiderojë tashmë një legjislacion të përforcuar kundërspiunazhi. May kërkoi nga qeveria edhe përfshirjen e disa amendamenteve të stilit “Magnitsky” në draftin e sanksioneve që do të vendosen ndaj Rusisë.

Ndërsa shtoi se qeveria do të përforcojë kontrollet e shtetasve rusë që hyjnë në vendin ishullor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA