Kryetarje LSI-së, Monika Kryemadhi në një bashkëbisedim me gazetarët u shpreh se çelja e negociatave është më e rëndësishme për shqiptarët, dhe jo për klasën politike. Ajo tha se opozita po tregohet e matur për këtë qëllim.
Opozita dhe LSI në veçanti tha ajo, i kanë krijuar kushtet komode qeverisë për të bërë negociatat.
“Edhe pas protestës së 27 janarit, dhe më shumë kërkesat na vijnë nga qytetarët për të vazhduar protestat, po tregohemi të matur, po i japim kohën kësaj qeverie që të shohim vendin drejt negociatave. E theksoj është e rëndësishme se hapja e negociatave nuk i shërben klasës politike po shqiptarëve. Qeveria nuk po tregohet aspak serioze”, tha Kryemadhi.
Ajo zgjodhi të flasë për varfërinë në vend, që prevalon mbi deklaratat politike të situatës aktuale.
Kryemadhi ka kërkuar rikthimin në Kuvend të ligjit të taksave, ku përfshihet dhe taksa e banesës, pasi thellon më shumë varfërinë.
“Zgjidhja është paketa antivarfëri që ka propozuar LSI disa kohë më parë, që nxjerr nga varfëria 200 mijë familje shqiptare dhe u jep mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Po shkatërron shtresën e mesme, që në fakt është boshti kryesor i ekonomisë shqiptare dhe garanci për demokracinë shqiptare. Vetëm një i marrë dhe i pangopur me dashuri që në fëmijëri mund tia bëj këtë vendit të tij. Është shumë e rëndësishme për të parë zgjidhjen e këtij problemi sesa është e rëndësishme për të parë fasadën e një godine që ka themelet e kalbura”, tha ajo.
Top Channel