Shoqata Kombëtare e Armëve ka paditur shtetin e Floridës, pasi miratoi një ligj për kontrollin e armëve, pas tragjedisë në një shkollë muajin e kaluar, ku humbën jetën 17 persona.
Guvernatori Rick Scott, republikan dhe aleat i vendosur i lobit të armëve, e nënshkroi ligjin. Ky i fundit rrit moshën e lejuar për blerjen e një arme në Florida, e gjithashtu lejon trajnimin dhe armatosjen e stafit në shkolla.
Ai nuk ndalon armët gjysmëautomatike, si ajo e përdorur në masakrën e 14 shkurtit në Parkland. Sidoqoftë, ligji parashikon një periudhë pritjeje treditore për të gjitha shitjet e armëve dhe ndalimin e mekanizmave që iu mundësojnë armëve gjysmëautomatike të qëllojnë me qindra plumba brenda një minute.
Shoqata Kombëtare e Armëve paraqiti padinë e saj të premten, vetëm një orë pasi ligji u nënshkrua nga guvernatori. Në padinë e saj, ajo ankohet se ligji shkel amendamentin e dytë të Kushtetutës amerikane, që përcakton të drejtën për të mbajtur armë.
Shoqata argumenton se, ligji shkel edhe klauzolën për mbrojtje të njëjtë të amendamentit të 14, duke iu ndaluar qytetarëve që i binden ligjit nga 18 deri në 21 vjeç të blejnë armë.
Padia nënvizon se legjislacioni i Floridës prek veçanërisht gratë e reja. Ligji i miratuar nga një legjislaturë e kontrolluar nga republikanët, në një shtet ku Shoqata Kombëtare e Armëve ka ndikim të konsiderueshëm, shihet si një testament i një fushate pasionante kundër armëve, të ndërmarrë nga të mbijetuarit e sulmit në shkollë dhe prindërit e viktimave.
Vet guvernatori e nënshkroi ligjin i rrethuar nga nxënës të Parklandit dhe familjarë. Një ish-nxënës me një histori problemesh mendore akuzohet për vrasjen e 14 nxënësve dhe 3 pjesëtarëve të stafit në shkollën e Parklandit, më 14 shkurt, në incidentin e dytë më vdekjeprurës në një shkollë amerikane në histori.
Top Channel