17 gjyqtarë e prokurorë deri tani kanë deklaruar që refuzojnë ti nënshtrohen vetingut, dhe që sipas ligjit nuk kanë të drejtë për 15 vjet të punojnë në organet e drejtësisë. Kjo u bë i ditur nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi gjatë një takimi me studentë pejanë të universitetit “Haxhi Zeka”.

Studentët pejanë kanë kërkuar të njihen nga afër me funksionet, organizimin e punës dhe veprimtarinë parlamentare të Kuvendit dhe deputetëve, përfaqësues të popullit, si dhe për të takuar Kryetarin e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje tre efekte kryesore të këtij procesi. “Efekti i parë, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kanë nisur të pyesin veten, janë apo s’janë për prokurorë. Efekti i dytë, 17 gjyqtarë dhe prokurorë deri më sot kanë deklaruar që refuzojnë t’i nënshtrohen vetingut. Kjo është me sanksion: nuk kalojnë në Vetting, por për 15 vjet nuk kanë të drejtë të punojnë në organet e drejtësisë. Ka pasur kërkesa të tilla, që nga ish-prokurori i Përgjithshëm, anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. E treta, është që organet e veting-ut po punojnë dhe ne presim rezultate pas përfundimit të këtij procesi, që do të zhvillojnë për gjithë trupën e gjyqësorit dhe prokurorisë”, bëri të ditur Ruçi.

 

Në këtë komunikim me studentët, Kryetari i Kuvendit, në mënyrë të përmbledhur i njohu studentët funksionet kryesore të Kuvendit, atë ligjvënës, kontrollues, zgjedhës dhe përfaqësues dhe me rregullat dhe procedurat parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Disa prej elementëve të cilët tërhoqën vëmendjen e të rinjve ishin përbërja dhe funksionimi i komisioneve parlamentare, përgatitja dhe zhvillimi i seancave plenare, përbërja e Kuvendit të Shqipërisë dhe formimit profesional i të zgjedhurve të popullit, përgatitja dhe zhvillimi i seancave dëgjimore, interpelancave, ngritja dhe funksionimi i komisioneve të posaçme, etj.

Biseda mes të rinjve dhe Kryetarit të Kuvendit vijoi me çështje që i takojnë bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe rrugës së tyre integruese drejt Bashkimit Europian. Kryetari i Kuvendit u shpreh besimplotë për realizimin e aspiratës sonë të përbashkët integruese dhe vuri në dukje se roli konstruktiv dhe stabilizues i shqiptarëve në rajon do të jetë nxitës për bashkëpunimin rajonal në mbështetje të këtij procesi për të ardhmen jo vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës, por të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e ndihmës ekonomike në Shqipëri. Duke iu përgjigjur pyetjes së studentëve, z. Ruçi tha se ditën e enjte, datë 15 mars do të zhvillohet një mocion me debat për këtë çështje. Krahas kësaj, z. Ruçi shtoi se Kuvendi po shqyrton projektligjin “Për strehimin”, ku sipas tij, kjo nismë i shërben kategorive të njerëzve në nevojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA