Një nga historitë më të forta këtë të shtunë në “Dua të të bëj të Lumtur”, ishte ajo e Vangjelit, i cili zgjodhi studion e “Dua të të bëj të lumtur” për t’i kërkuar falje bashkëshortes dhe për t’i premtuar se nuk do të luajë më kurrë bixhoz.
Varësia e tij ndaj lojërave të fatit nis që prej kohës së adoleshencës, kur edhe pse vetëm një 14-vjeçar, Vangjeli kishte nisur të vinte në lojë paratë e biznesit të familjes.
Në program u rrëfye edhe historia e tij e dashurisë me Eriseldën, me të cilën është martuar dhe ka një djalë. Vangjeli tregoi se ai disa herë ka vënë në rrezik edhe të ardhurat e familjes duke luajtur bixhoz. Për këtë arsye, i penduar për çfarë kishte bërë, ai kishte ftuar gruan e tij në program të cilës i premtoi se nuk do të futet më kurrë në një pikë të lojërave të fatit.
I ftuar surprizë që të mbështeste Vangjelin në këtë premtim ishte këngëtari i dashur për publikun, Redon Makashi. Ai performoi këngën e tij “Më lër të fle”, që është një prej këngëve më të dashura të çiftit.
Në fjalën e tij, kantautori i mirënjohur i tha Eriseldës: “Derisa Vangjeli ka marrë guximin që të vijë deri këtu dhe të të premtojë që do e lërë bixhozin, besoje! Nëse dikur për herë të parë të ka thënë që të do, dije se kësaj here dashuria që ka për ty tani dhe ky premtim që të bëri është shumë herë më i fortë”.
Në momentin që po lexohej letra, programi “Dua të të bëj të lumtur” i bëri disa dhurata Eriseldës, të cilat Vangjeli nuk kish mundur t’ia jepte gjithë këto vite.
Top Channel