Gjirokastra mbetet pa arkiv. Fondi historik niset drejt Lushnjës

10/03/2018 12:25

Me urdhër të drejtorit të Arkivit Qendror, Ardit Bido janë duke u mbyllur disa arkiva rajonalë, përfshi edhe ai i Gjirokastrës, për t’u shndërruar në zyra të thjeshta ku aplikohet për të kërkuar dokumenta, që më pas do të mbërrijnë me postë.

Por, qytetarët mendojnë se kjo zhvendosje po largon gjithë vëmendjen nga Gjirokastra dhe po e kthen atë në një periferi.

“Të shkoj të bëj dokumente nga Lushnja, nuk ia vlen barra qiranë. Ky është një vendim shumë i nxituar, i papranueshëm. Ka të bëjë me vlera historike të qytetit, jo me një dokument që nëse nuk e bën në Gjirokastër, nuk ka gjë se e bën në Lushnjë”, thonë qytetarët.

Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Bektash Mema thotë se dokumentat e rëndësishme meritojnë arkivim në kushte më të përshtatshme: “Studiuesi e gjen dokumentacionin atje ku është. Nëse është studiues, e gjen në Gjirokastër, Tiranë apo jashtë vendit”.

Por, për Agron Kokalarin, profesor i fizikës për dekada me radhë, zhvendosja e arkivit po e fyen qytetin: “Zhvendosja e arkivit nga Gjirokastra është vazhdim i shkatërrimit të Gjirokastrës. Spitalin dhe Universitetin ia hoqën tashmë”.

Jaho Çabaj, etnolog, i cili e ka përdorur vazhdimisht arkivin, thotë se nisma është e pamenduar mirë: “I sjell një dëm shumë të madh perspektivës së zhvillimit kulturor dhe ekonomik Qarkut të Gjirokastrës. Rrit kostot e punimeve të kërkimeve shkencore dhe kostot për qytetarët që duan një dokument”.

Me largimin nga qyteti të arkivit, Gjirokastra po humbet një tjetër institucion dhe pjesë të rolit të saj si qendër administrative në jug.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA