Reforma zgjedhore, PS-PD, skeptike për depolitizimin e komisionerëve

09/03/2018 20:23

Në Komisionin e Reformës Zgjedhore, përfaqësuesit e shoqërisë civile ngulën këmbë në nevojën e depolitizimit të komisionerëve. Por dy partitë e mëdha, që përmes njerëzve të tyre kontrollojnë procesin e votimit dhe të numërimit, e pritën me skepticizëm.

Enkelejd Alibeaj, PD: Do të duhet të jenë të pavarur politikisht, një term që për mua është shumë i pacaktuar. Janë njerëz që votojnë këta! Keni ju ndonjë formulë që të garantojë pavarësinë e këtyre njerëzve, e këtyre shqiptarëve për t’i zhveshur ata nga emocionet politike?

Vasilika Hysi, PS: Kjo çështje që ju thoni e kam thënë edhe unë para 20 vitesh. Komisionerë të pavarur, komisionerë të pavarur, kur kam qenë jashtë politikës. Tani që jam në politikë shoh se mezi i gjejmë komisionerët.

Partitë e vogla, që nuk nuk kanë komisionerë në qendrat e votimit e të numërimit, e quajtën domosdoshmëri depolizitimin e këtyre trupave.

Nard Ndoka, PDK: Komisionerët e partive politike janë ata që i kanë prishur zgjedhjet gjithë këto vite. Zhvillojmë akoma zgjedhje me militantë partiakë. Manipulojnë zgjedhjet e partive që nuk kanë përfaqësues në komision. Pra, janë e keqja e procesit tonë zgjedhor.

Dashamir Shehi, LZHK: Kur marrin rrugët për keq, 3 vjet në Shqipëri janë një kohë kaq e madhe për ta sofistikuar çfarëdolloj sistemi për ta vjedh dhe rivjedhur.

Afrim Krasniqi, që drejton Institutin e Studimeve Politike, theksoi nevojën për reformimin e ligjit për partitë, i cili sipas tij aktualisht është në konflikt me Kushtetutën.

“Ne kemi 129 parti, të cilat në dijeninë time, 4 kryetarë kanë vdekur, por ligjërisht funksionojnë, sepse ligji për partitë politike jep konceptin e krijimit të partive politike, jo atë të monitorimit. Prandaj, partitë sa herë krijohen koalicione zgjedhje janë në tregun e ofertës për të shitur siglat e tyre dhe për t’u përfshirë”, deklaroi Afrim Krasniqi.

Për të rritur transparencën mbi paratë e shpenzuara në fushatë, u propozua që nisja e periudhës zgjedhore të përkojë me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti.

“Nëse ne i monitorojmë vetëm 45 ditë sa na kërkohet, praktikisht kanë mbaruar punët. Ato 45 ditë janë më shumë shoë politik”, shton ai.

Ekspertët paralajmëruan Komisionin se me fokusimin te vota e emigrantëve dhe elektronika, rrezikojnë të lenë jashtë vëmendjes rekomandimet e tjera të OSBE/ODIHR.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA