Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani u thirr në Prokurorinë e Tiranës për ty pyetur për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në Uashington.
Dosja nën hetim që prej muajit nëntor nga prokurori Gjergj Tako është e regjistruar për nenin 190, atë të falsifikimit të formularëve, pas dyshimeve se Partia Demokratike ka dorëzuar të dhëna të rreme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbi financimin.
Siç u referua në atë kohë në investigimin e “Birn”, Partia Demokratike ka lidhur dy kontrata lobimi, por asnjëra prej tyre nuk rezulton në raportin financiar të dorëzuar në KQZ për fushatën e 2017.
Ristani, i pari mes njerëzve të rëndësishëm të Partisë Demokratike që kalon pragun e akuzës për këtë çështje dha dëshminë e tij për mëse një orë. Në rrugë jo zyrtare, mësohet se Arben Ristani ka përsëritur në Prokurori se i qëndron versionit zyrtar të partisë.
Pasi la Prokurorinë, në prononcimin për median nga zyra e tij, Ristani tregoi çfarë u tha prokurorëve. “Për shkak të kontratës ka bërë një pagesë që është e ligjshme ka kaluar përmes bankës, është deklaruar në KQZ dhe atje ku ka qenë e nevojshme”, tha Ristani.
Përplasja më e fundit mes opozitës dhe mazhorancës për financimet e paligjshme të partive ishte këtë të mërkurë. Ashtu siç akuza ka shënuar nisjen për herë të parë të një hetimi të çelur kryesisht, përveç dokumenteve të marra në KQZ mbi kontratat dhe shpenzimet e Partisë Demokratike, prokurorët kanë shtuar si pjesë të dosjes edhe artikullin e revistës amerikane “Mother Jones. Në të flitet për lidhjet ruse të lobuesit Nick Muzin, që i mundësoi kontakte në Uashington Partisë Demokratike, duke u paguar me një vlerë totale prej 150 mijë dollarë nga një kompani pëlhurash në Skoci.
Por që prej nëntorit, edhe vetë Partia Demokratike thotë se i ka kërkuar Prokurorisë verifikimin e situatës, ndërkohë këto dite, ajo ka bërë edhe deklarimin vjetor të financave të saj në KQZ.
Top Channel