73 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shpërthejnë grindjet për dëmshpërblimet e krimeve gjermane të luftës në Poloni.
Deputeti i partisë në pushtet në Poloni, “E drejta dhe drejtësia”(PiS), Arkadiusz Mularczyk, e llogariti tani vlerën e shkatërrimeve dhe humbjeve të shkaktuara nga gjermanët në 685 miliardë euro.
Deputeti i së drejtës për drejtësi, thotë “Deutche Welle”, drejton që prej shtatorit një grup parlamentar, detyra e të cilit konsiston në realizimin e një bilanci mbi humbjet polake në luftë, për t’u ofruar politikanëve argumente për negociata eventuale. Në vitin 1989, pas fundit të Luftës së Ftohtë, Polonia dhe Gjermania nisën një proces pajtimi dhe mirëkuptimi.
Politikanë të të dyja vendeve bënë përpjekje që ta ndanin politikën aktuale nga e kaluara, pa i harruar krimet nacionalsocialiste. Kërkesat e reja për dëmshpërblime u paraqitën për herë të parë në vitin 2005, pas marrjes së pushtetit nga “E drejta dhe drejtësia”. Por, ato nuk patën pasoja sepse kampit nacionalkonservator iu desh ta dorëzonte shpejt pushtetin. Në verë 2017, kreu i partisë, Jaroslaw Kaczynski e vuri sërish në tryezë këtë temë delikate. Ai foli për “humbje gjigante” dhe shpalli një “kundërofensivë historike”.
Qeveria gjermane reagoi në mënyrë të prerë. Zëvendëszëdhënësja e qeverisë, Ulrike Demmer tha se Gjermania e mban politikisht, moralisht dhe financiarisht përgjegjësinë e saj historike, por çështja e dëmshpërblimve është rregulluar tashmë juridikisht dhe politikisht.
Top Channel