Toronto Raptors siguron matematikisht një vend në fazën e “playoff”-it në kampionatin e NBA.
Skuadra kanadeze mundi në ndeshjen e radhës Detroit Pistons me rezultatin 121-119, duke ruajtur në të njëjtën kohë vendin e parë në Konferencën e Lindjes. DeRozan ishte i papërmbajtshëm në këtë ndeshje, të cilën e mbylli me 42 pikë personale të shënuara. Ndeshja ishte e rivalizuar dhe Toronto e fitoi atë vetëm në 5 minutat e kohës shtesë. Për Detroit, që është jashtë zonës së “playoff”-it, spikati Blake Griffin me 31 pikë, por suksesi në fund ishte i kanadezëve.
Houston Rockets nuk pati probleme për të fituar ndeshjen me Milwaukee 110-99, duke regjistruar suksesin e 17 radhazi, ndërkohë që qëndron ende në krye të Konferencës së Perëndimit. Skuadra teksane e vendosi fatin e takimit në periodën e dytë të ndeshjes, duke e kontrolluar më pas me shumë lehtësi atë. James Harden dhe Gordon spikatën për Rockets, që shënuan respektivisht 26 dhe 18 pikë.
Cleveland konfirmohet si forca e tretë e Konferencës së Lindjes. Skuadra nga Ohajo fitoi ndaj Denverit 113-108, duke i shkaktuar këtij të fundit humbjen e dytë radhazi që i kushton edhe daljen nga zona e “playoff”-it në Konferencën e Perëndimit. LeBron James ishte ai që drejtoi Cleveland drejt fitores, me 39 pikë e 10 asist, ndërkohë që spikati edhe Nance Jr.
Për Denverin nuk mjaftuan 36 pikët e Jokic dhe 18 të Harris për të mposhtur nënkampionët e NBA.
Top Channel