Antiterrorizmi po punon për të zbuluar origjinën e agjentit nervor të përdorur në përpjekjen për të vrarë ish-spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij, Julia, në Salisbëri.
Babë e bijë u gjetën pa ndjenja në një qendër tregtare dhe janë në gjendje kritike për jetën, bashkë me një polic që iu afrua për t’i ndihmuar. Një burim i cituar nga BBC tha se kimikati i përdorur të dielën, me shumë gjasa, ishte më i rrallë se gazi sarin i përdorur gjatë sulmeve në Siri.
Gjithashtu, nuk bëhet fjalë për VX-n, agjenti nervor i përdorur për të vrarë vëllain e liderit koreanoverior, Kim Jong-un. Edhe pse substanca është identifikuar nga shkencëtarët, policia tha se nuk do ta bënte publik informacionin në këtë fazë të hetimeve.
66-vjeçari Skripal kreu një dënim disavjeçar me burg, nën akuzën e zbulimit të informacioneve për inteligjencën britanike, por në vitin 2010 siguroi azilin politik në Britaninë e Madhe mbi bazë të një marrëveshjeje për shkëmbim spiunësh.
Sipas informacioneve, ish-agjenti dhe vajza e tij 33-vjeçare kishin vizituar klubin “Bishop Mill” dhe restorantin “Zizi” në Salisbëri, përpara se të gjendeshin pa ndjenja në një stol pranë qendrës tregtare Maltings. Por, policia nuk e ka bërë ende të ditur nëse është në dijeni mbi mënyrën dhe vendin e hedhjes së helmit.
Agjentët nervorë janë kimikatë shumë toksikë që ndalojnë funksionin e sistemit nervor dhe organeve të tjera jetësore. Ato zakonisht hyjnë në trup përmes gojës ose hundës, por mund të përthithen edhe përmes syve apo lëkurës.
Top Channel