Partia Demokratike mbledh ditën e enjte Kryesinë e saj, ku në rend dite është caktimi i një date për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar.
Mbledhja e Kryesisë mund të ketë debate mes Lulzim Bashës dhe disa anëtarëve kritikë të tij, mes të cilëve edhe Arben Imami.
Demokratët pritet të mbledhin Kuvendin brenda pranverës, të paktën nga ajo që ka deklaruar më herët Lulzim Basha. Ndërkohë, Astrit Patozi dhe Ridvan Bode kanë nisur lëvizjen kundër kreut të PD-së. Kjo lëvizje ishte e paralajmëruar në rast se Lulzim Basha nuk do t’i përgjigjej platformës së shtatorit për ringritjen e PD-së, që mban vulën e Patozit dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm, Ridvan Bode.
Në një intervistë dhënë për Top Channel, vetë Patozi, edhe pse beson tek forca e lëvizjeve të brendshme në parti, idenë e një force të re politike nuk e përjashtoi.
Patozi dhe Bode janë më aktivët në parti nga grupi i kundërshtarëve të Bashës, që për hir të së vërtetës nuk e ka më soliditetin e ditëve të verës kur Basha ngriu pozicionet dhe pas një muaji u rizgjodh në krye të PD-së.
Topalli dhe Imami, edhe pse kritikë të fortë nuk kanë angazhim direkt në strukturë. Lëvizje konkrete, por jo në planin partiak ka bërë Majlinda Bregu, e cila ka nisur lobimin për të fituar pozicionin e Sekretarit te Pergjithshëm, të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, një strukturë e në kaudër të Procesit të Berlinit.
Deklaratat dhe kritikat e kundërshtarëve të tij brenda partisë, vetë Lulzim Basha i quan pretekste.
“Është e drejtë e çdokujt të bëjë zgjedhjen e tij politike. Pretendimi se propozimet nuk janë shqyrtuar nga kryetari, janë pretekst. Nuk është kryetari ai që shqyrton propozimet, janë forumet, është Kuvendi i partisë”, thotë kreu i PD.
Top Channel