Reforma në Drejtësi ka bërë që në Gjykatën e Tiranës, numri i dosjeve vetëm në dy muaj të jetë më shumë sesa gjysma e dosjeve të të gjithë vitit 2017.
Ngarkesa lidhet me krijimin e gjyqtarit paraprak. Gjatë vitit 2017, Gjykata e Tiranës shqyrtoi 2.387 dosje. Ndërsa vetëm në dy muajt e parë të 2018-s janë dorëzuar mbi 1.400 kërkesa vetëm për gjyqtarët paraprakë, pa llogaritur çështjet e themelit.
Por çfarë do të thotë kjo në punën e përditshme të gjykatës? Këtë na e tregon gjyqtari Artan Gjermeni.
“Do të ishim të lumtur të gjykonim 7 çështje në ditë, por shkojmë në kufijtë e gati 10 apo 12 çështjeve në ditë, e minimalisht shpallet jo më pak se 7-8 vendime në seancat paraprake”, thotë Artan Gjermeni, gjyqtar.
Si mund të përballohet një ngarkesë e tillë e përditshme dhe gjithnjë në rritje?
“Puna po shkon në kufijtë e një mbingarkese, përveçse në sasi, edhe në kohë. E thënë më thjeshtë, çdo ditë të javës, nëse unë nuk do të vij pasditeve në orën 18 dhe të punoj deri në orën 23, puna do të ishte e papërballueshme”, deklaron më tej Artan Gjermeni.
Më shqetësuese është fakti që një situatë e tillë nuk pritet të përmirësohet të pakën edhe për një vit, e gjyqtari Gjermeni e ka një argument.
“Unë iu informoj se Shkolla e Magjistraturës nuk do të nxjerrë studentë për vitin akademik 2017, për shkak të mosformimit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, shpjegon Artan Gjermeni.
E derisa kjo situatë të vijë në kufijtë e normaliteti, gjyqtarët do të vazhdojnë të punojnë me turne, paradite dhe pasdite, për të përballuar sasinë, sepse për cilësi është luks i tepërt për të folur.
Top Channel