Astrit Patozi paralajmëroi aksion brenda PD-së, duke mos përjashtuar as opsionin e një partie të re, nëse kryetari Basha nuk reflekton ndaj propozimeve të tyre. Deklaratat e kundërshtarëve të tij, Lulzim Basha i quajti pretekste.

“Është e drejtë e çdokujt të bëjë zgjedhjen e tij politike. Pretendimi se propozimet nuk janë shqyrtuar nga kryetari, janë pretekst. Nuk është kryetari ai që shqyrton propozimet, janë forumet, është Kuvendi i partisë”, thotë kreu i PD.

Basha konfirmoi riorganizimin e partisë deri dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në pranverë, duke e konsideruar këtë si një hapësirë të bollshme për të gjithë ata që presin përgjigje për ringritjen e forcës politike të demokratëve.

“Në pranverë do të mblidhet Kuvendi Kombëtar dhe pa dyshim, ashtu sikundër proçesit të analizës edhe gjatë këtij proçesi çdokush që dëshiron, do të ketë hapësirën për propozime. Vizioni im është që kjo është një parti e anëtarëve, jo i kryetarit, as e nënkryetarëve, as e drejtuesve, as e ish-drejtuesve, kjo është një parti e anëtarëve dhe kemi punë për të bërë që të kthehet vendimmarrja plotësisht tek anëtarët”, deklaron Basha.

Për akuzat e Astrit Patozit dhe Jozefina Topallit në planin personal Lulzim Basha ka një përgjigje direkte.

“Nuk mendoj se vlejnë, as sulmet personale nga kafenetë, as deklaratat e pabazuara. Unë i di shumë mirë përgjegjësitë e mia dhe unë besoj se çdo demokrat nuk pret që proçesi i bashkimit të partisë do të jetë një proçes negociatash personale të kryetarit. Sulmet ndaj kryetarit nuk janë ide politike. As sulmet ndaj Partisë Demokratike në media, nuk i shërbejnë demokratëve”, shton ai.

Por shigjetat e sulmit u dejtuan dhe nda kundërshtarëve pa emër duke i nënkuptuar të lidhur me elementë me rekorde kriminale.

“E vetmja ftesë është, distancim total nga personat me rekorde kriminale dhe përqafimi i kauzave të drejta që kemi luftuar për shqiptarët, jo për veten apo pushtetin tonë; dekriminalizimi, lufta kundër krimit, lufta kundër drogës dhe çlirimin e ekonomisë nga monopolet. Partia Demokratike do të ndërtojë alternativën jo thjesht të pushtetit për nesër, por alternativën e një transformimi të madh politik dhe pastaj ekonomik të vendit”, u shpreh Lulzim Basha.

Në Partinë Demokatike u depozituan dy platforma nga Astrit Patozi dhe Edit Harxhi, ndërkohë që vetë strukturat e PD do të duhet të përgatisin dokumentin e analizës dhe ndryshimet statutore për të kaluar në procesin e riorganizimit të plotë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA