Italia është sot në udhëkryq, por pas më shumë se dy javësh, ligjvënësit e porsazgjedhur të saj do të marrin detyrën, e po atëherë do të caktohen dhe kryetarët e Dhomës së Ulët të Parlamentit e Senatit.
Pas Pashkëve, presidenti Sergio Mattarella do të nisë konsultimet për të vendosur se cili do të jetë kryeministri i ri i vendit. Historia dhe Kushtetuta na jep dy opsione.
“Më i vështiri është ai, sipas të cilit Mattarella vendos se krijimi i qeverisë nuk është i mundur dhe shpërbën Parlamentin”, thotë profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Romës, Giovanni Guzzetta. “Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në të shkuarën, – thekson ai. – Nuk jemi gjendur ndonjëherë në situatën kur zgjedhjet zëvendësohen menjëherë nga të tjera”.
Alternativa e dytë për kreun e shtetit do të ishte caktimi i një figure institucionale, si president i Senatit. Një njeri që luan rolin e lehtësuesit dhe që merr mandatin, jo për të qenë kryeministër, por sepse kështu do të ketë liri më të madhe sesa presidenti, që të arrijë të konsultohet me forcat politike e të krijojë shumicën.
Megjithatë, të farkëtosh një aleancë mes partive që luftuan kaq ashpër me njëra-tjetrën nuk është edhe aq e lehtë.
Kryetari i shtetit italian, – sipas “Euronews”, – gjendet përballë momentit më të vështirë të mandatit të tij, pasi tani, të gjithë sytë janë drejtuar tek ai, si në Itali, ashtu edhe jashtë saj.
Matteo Renzi, ndërkohë, e bëri të qartë se do të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike, por jo tani. Më parë ai kërkon të shohë krijimin e qeverisë së re.
“Bëjeni pa ne”, ishte deklarata e Renzit, që duket se kërkon të sigurohet që forca e tij politike nuk do të rrëshqasë drejt kundërshtarëve.
Misioni i fundit i 43-vjeçarit është të shmangë afrimin e demokratëve në jug me “Lëvizjen 5 yjet”.
“Do të largohem në minutën pasi ta kem ankoruar Partinë Demokratike në opozitë”, zotohet ai.
Lëvizja populiste e drejtuar nga Luigi di Maio, ish-menaxher faqesh interneti dhe ish-punonjës sigurie stadiumesh, ishte historia e suksesit ditën e zgjedhjeve, nga ku doli si forca e vetme më e madhe, me 32% të votave. Kjo i dha Di Maios argumentin të pretendojë se qeverinë duhet ta krijojë forca e tij politike.
Nisur nga rivaliteti i ashpër me demokratët dhe Berlusconin, aleati më i mundshëm i “5 yjeve” do të ishte “Lega Nord”-i, por Salvini e përjashtoi kategorikisht një mundësi të tillë.
Top Channel