Aksioni kundër pikave të grumbullimit të mbetjeve, Klosi: Fund paligjshmërisë së mbështetur nga PD

06/03/2018 17:41

Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit vijojnë me aksionin e tyre për bllokimin e të gjitha pikave të grumbullimit të mbetjeve të automjeteve dhe metaleve të tjera, që nuk plotësojnë kriteret mjedisore dhe sjellin rrezik për jetën e qytetarëve, në përgjigje të shqetësimit të ardhur nga banorët e kryeqytetit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, si dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, inspektuan këtë të martë një nga pikat e grumbullimit të mbetjeve që funksiononte në një nga zonat më të populluara të Tiranës, pranë rrugës “Siri Kodra”.

Klosi deklaroi se po evidentohen të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve, të cilat janë hapur në kundërshtim me kriteret mjedisore e që zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda zonave të banuara.

“Këtë aksion e kemi ndërmarrë për të pastruar qytetet tona. Nuk është aksion vetëm në Tiranë, por do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë. Krahas evidentimit të problematikave të këtyre pikave të grumbullimit të mbetjeve, po shqyrtojmë dhe kemi në miratim kriteret e reja”, tha Klosi.

Sipas tij, këto biznese do të duhet të zhvillohen jashtë qendrave të banuara, teksa shton se do t’i jepet fund guroreve dhe mbetjeve që ndotin.

“Kjo është edhe një përgjigje për batarenë që mbështet paligjshmërinë. Në fillim erdhi nga Saliu, i cili mbronte guroret e paligjshme në të gjithë Shqipërinë, të cilat po i mbyllim, po i evidentojmë dhe do nxjerrim kriteret e reja, mbi të cilat do të zhvillohet biznesi i tyre. Sot erdhi mbështetja e Lulit për pisllëkun e qytetit. Jo! Nuk do të lejojmë as batarenë e guroreve, as papastërtinë që u vjen qyteteve nga guroret, por as luftën kundër zhulit në Tiranë nuk do ta ndërpresim. Jemi këtu për çdo shqetësim të qytetarëve, për të mbështetur organet ligjzbatuese, për të mbështetur biznesin e ndershëm, i cili mund t’i zhvillojë bizneset me kriteret e lejeve mjedisore, në përputhje me kushtet me të cilat ndërtohen këto biznese në gjithë vendet normale europiane, e padyshim zhvillimin e këtyre bizneseve larg zonave të banuara, pasi është e pafalshme që qyteti të bashkëjetojë me mbeturinat”, tha më tej Klosi.

Nga ana e tij, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku tha se është e papranueshme nga ana estetike, sikurse edhe e dëmshme për jetën e banorëve, që hapësirat brenda lagjeve të banuara të kthehen në varreza hekurishtesh apo mbetjesh të tjera urbane.

“Jam i sigurtë se edhe zoti Basha, që sot përmendi këto raste, në Holandë, ku edhe ka mundësinë të shkojë shpesh, nuk ka parë njerëz, të cilët shpenzojnë një pjesë të madhe të jetës së tyre brenda kazanëve të mbeturinave, duke u përpjekur të marrin mbetjet dhe më pas i grumbullojnë në pika të tilla brenda zonave urbane. Ky është një akt jo vetëm antieuropian, jo vetëm i rrezikshëm për shëndetin e banorëve, por është një çështje që në mënyrë të vazhdueshme banorët e Tiranës, edhe nëpërmjet portalit të bashkëqeverisjes, e kanë denoncuar si një problem për qytetin e tyre dhe për mënyrën dhe mundësinë për të funksionuar si një qytet normal”, tha nënkryetari Mazniku.

Mazniku shprehu vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mos lejuar grumbullimin e mbetjeve në mënyrë antiligjore në zona urbane dhe pa plotësuar kriteret mjedisore.

“Këto pika kthehen në vatra rrezikshmërie për shëndetin, kthehen në pika, të cilat janë plotësisht joformale nga këndvështrimi fiskal dhe mjedisor, e çfarë është më problematikja, nuk na japin mundësinë që të krijojmë një sistem të mirë për funksionimin dhe pastrimin e qytetit”, tha nënkryetari i bashkisë.

Mazniku theksoi se aktivitete të tilla, përveç problematikës që shkaktojnë në aspektin mjedisor, bëjnë të pamundur edhe krijimin e një sistemi të organizuar të pastrimit të qytetit.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA