Kryeministri Edi Rama po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të dielën mori pjesë në Konferencën e Komitetit Izraelito-Amerikan në Uashington.
Ky ishte takimi i vetëm që kishte njoftuar kryeministria, ndërsa të hënën në mbrëmje vonë, Rama njoftoi në faqen e tij në facebook, se kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë.
“Një surprizë e posaçme, ceremonia e marrjes së çmimit për pluralizmin kulturor, i dorëzuar nga i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer”, shkruan Rama në facebook, i cili ka postuar edhe një video.
Çmimi, sipas kryeministrit, i është dhënë për angazhimin në ruajtjen e kujtesës së Holokaustit dhe mbrojtjen e së vërtetës historike.
“Një nder shumë i veçantë për mua, qeverinë tonë dhe padiskutim Shqipërinë, që rrezaton, gjithnjë e kudo, me shembullin e saj të mbrojtjes së popullit hebre, gjatë orëve të zeza të Luftës së Dytë Botërore”, thekson Rama
Top Channel