Mandati i fundit i Merkelit, debate për të ardhmen e koalicioneve në Gjermani

05/03/2018 11:02

Pas “dritës jeshile” të socialdemokratëve, që i lejon krijimin e qeverisë, Angela Merkel e bëri të qartë sesa e rëndësishme është që ekzekutivi i ri të nisë sa më shpejt nga puna.

“Do të punoj për të siguruar vende pune e prosperitet, por edhe një peshë më të madhe të Gjermanisë në BE”, ishte zotimi i kancelares.

“Kanë kaluar gati 6 muaj nga zgjedhjet, e tani njerëzit presin që diçka të ndodhë. Ne shohim se Europa përballet me sfida të shumta dhe një zë i fuqishëm i Gjermanisë, së bashku me atë të Francës e vendeve të tjera anëtare është i domosdoshëm”, tha Merkel.

“Ky do të jetë mandati i fundit i Merkelit në krye të ekzekutivit, e ndoshta dhe më i vështiri”, thotë opinionistja Ines Pohl, që shtron çështjen se çfarë do të jetë Gjermania në të ardhmen.

Parlamenti pritet të mblidhet në datën 14 mars për ta rizgjedhur Merkelin kancelare, duke i dhënë fund kështu periudhës më të gjatë pa qeveri në historinë gjermane të pasluftës.

Mbijetesa e saj në pushtet gëzoi aleatët brenda dhe jashtë kufijve. Presidenti francez, Emmanuel Macron nxitoi ta përshkruante këtë zhvillim si “lajm mjaft të mirë për Europën”.

Për vet Gjermaninë, ndërkohë, kjo është një situatë e re. Me hyrjen në Parlament të partisë konservatore të djathtë, “AfD”, epoka e politikave të rehatshme atje praktikisht mori fund.

“Të dyja partitë popullore i kanë zhgënjyer votuesit e tyre tradicionalë kaq shumë, sa që ata tani po votojnë gjithnjë e më shumë radikalisht, në skajin e djathtë si dhe atë të majtë”, thotë Pohl. Analistja shton se muajt e fundit të një debati të vështirë mund të jenë zilja e zgjimit, për të cilën Gjermania ka nevojë, e politikanët duhet t’u japin sërish zgjedhësve ndjesinë se zëri i tyre dëgjohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA