Kontrollet e policisë, 1618 gjoba vetëm në fundjavë; arrestohen 8 shoferë

05/03/2018 10:13

Vetëm në 72 orët e fundit të kontrolleve të shumta të policisë rrugore në autostradën Tiranë-Durrës si dhe në të gjitha rrugët e Tiranës, janë arrestuar tetë drejtues mjetesh, pesë prej të cilëve në gjendje të dehur.

Gjithashtu janë tërhequr 73 patenta për të dalë në OASH, nga të cilat 11 për shpejtësi tej normave të lejuara në qendra të banuara, 27 për shpejtësi tej normave të lejura në autostradën Tiranë-Durrës-Tiranë, 25 patenta për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 10 për shkelje të tjera.

Janë kryer 1029 alkool teste, ku ka rezultuar se 25 drejtues mjetesh drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, 143 kishin konsumuar alkool por brenda limiteve të lejuara, ndërsa 861 drejtues mjetesh kanë rezultuar me 0.00 mg/l.

Po gjatë kontrollit me Radar, janë konstatuar mjete që qarkullojnë me shpejtësi dy apo tre herë më shumë se limiti i lejuar, shpejtësi që kanë variuar deri në 213 km/orë dhe në qytet me shpejtësi 122 km/orë.

Kontrollet kanë konsistuar edhe në evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që nuk përdorin rripin e sigurimit, që përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit, që nuk respektojnë sinjalistikën e semaforit, që qarkullojnë pa kaskë mbrojtëse, apo pa kontroll teknik të mjetit si dhe siguracion.

Në këtë kuadër, janë vendosur gjithsej 1618 gjoba, nga të cilat 135 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 167 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 34 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 13 për shkelje të semaforit, 17 për mungesë të kontrollit teknik të mjetit, 11 për xhama të errët, 104 për parakalime të gabuara, si dhe 1137 masa administrative të tjera të ndryshme.

Janë bllokuar 21 mjete për mosshlyerje të masave administrative mbi 3 masa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA