Në pritje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Vettingu nis me një Komisioner

05/03/2018 13:42

Seanca në Kolegjin e Posaçëm të apelimit u hap pas rekomandimit të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhguesve, ONM për të proceduar disiplinarisht Heral Saraçi.

Ai u votua nëntë muaj më parë bashkë me Florian Ballhysën si dy komisionerë publikë. Sipas ligjit, Saraçi ka statusin e gjyqtarit të lartë, në institucionin e komisionerit publik me kompetencat për të ankimuar vendimet e shkallës së parë të vettingut dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjyqtarja e hetimit disiplinor, Natasha Mulaj i tha treshes së gjyqtarëve se ata duhet të vendosin masë disiplinore për Saraçin pasi me veprimet dhe mos veprimet e tij ka rrezikuar punën e komisionerit publik. Por ndërsa për këtë qëndrim janë vendosur në dispozicion 600 faqe me dokumentacion Heral Saraçi këmbënguli se i nevojitet kohë për t’u njohur me materialin.

Por gjyqtarja Mulaj tregoi se komisioneri publik vazhdon të jetë pa një rregullore, sepse komisioneri Saraçi pavarësisht këmbënguljes disamujore në ONM nuk ka dorëzuar në kohë një draftpropozim ashtu siç ka vepruar kolegu i tij Ballhysa.

Shkelje tjetër e evidentiuar në seancën publike ishte edhe firmosja e dy kontratave për dy punonjës të administratës pa rënë në dakordësi me komisionerin e dytë Ballhysa. Por veç kërkesave që lidhen me kompetencën dhe thirrjen e Kuvendit si palë në proces, komisioneri Saraçi kërkoi kohë për t’u përgatitur për mbrojtjen.

Pasi dëgjoi palët, relatori i komisionit disiplinor, Sokol Çomo e shtyu seancën në datën 7 mars. Siç parashikon ligji, komisioneri publik është institucioni që ankimon vendimet e komisionit të pavarur të kualifikimit, argumenton me shkrim arsyet, sipas të cilave, kundërshtohen rekomandimet e ONM si edhe shqyrton vërtetësinë e deklaratave të gjyqtarëve dhe prokurorëve apo merr në pyetje personat e përmendur në këto deklarata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA