Italianët votojnë! Nga zgjedhjet nuk pritet një fitues i qartë

04/03/2018 08:15

Italianët votojnë sot pas një fushate përçarëse të dominuar nga shqetësimet për emigracionin dhe ekonominë.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 23 të mbrëmjes, me “exit poll”-et e para që pritet të dalin menjëherë më pas.

Rreth 46 milionë qytetarë janë thirrur të votojnë për Parlamentin, e gati 43 milionë për Senatin. Do të zgjidhen 618 deputetë dhe 309 senatorë.

Për analistët është e vështirë të thuhet se kush do të triumfojë. “Lëvizja e 5 yjeve”, Partia Demokratike në pushtet dhe koalicioni i djathtë i ish-kryeministrit Berlusconi, pretendojnë të gjitha se do të rezultojnë fitues.

Por 81-vjeçari Berlusconi nuk mund të mbajë një post publik deri vitin e ardhshëm, për shkak të dënimit për evazion fiskal. Katër herë kryeministër i Italisë, e që tashmë ka lidhur aleancë me partinë antiemigracion të “Lega Nord”-it, ka vendosur të mbështesë kreun e Parlamentit Europian, Antonio Tajani, për postin e kryeministrit.

Sondazhet u ndaluan në dy javët e fundit të fushatës, por anketimet e mëhershme sugjerojnë se aleanca e Berlusconit do të grumbullojë numrin më të madh të votave, por jo aq sa duhen për të siguruar shumicën.

“Lëvizja e 5 yjeve” pritet të jetë partia më e votuar. Emigracioni ishte një prej çështjeve që dominoi fushatën zgjedhore. Më shumë se 600 mijë emigrantë kanë mbërritur në Itali përmes detit, që prej vitit 2013.

Numri i lartë i të ardhurve ka sjellë pakënaqësi të mëdha në popull, me shumë politikanë që kanë ashpërsuar retorikën lidhur me çështjen. Gjithashtu, ekonomia u kthye në një fushë beteje gjatë fushatës, ndërsa 18 milionë njerëz rrezikohen nga varfëria dhe papaunësia është në nivelet 11 për qind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA