Një grabitje masive e bizneseve është regjistruar gjatë mëngjesit të së dielës në Korçë. Tri biznese kanë rënë prè e një grupi të sofistikuar hajdutësh, ndërsa në vëtëm njërin prej tyre është vjedhur kasaforta, brenda së cilës ishin 7 milionë lekë.
Një fabrikë e përpunimit të qumështit, një fabrikë mjalti dhe një fabrikë bojërash janë bizneset brenda së cilave, grupi i hajdutëve ka hyrë brenda pak orësh. Pronari i njërit prej bizneseve tregon se ndihet i frikësuar nga kjo situatë.
Ndërkohë, Top Channel ka siguruar videon e grabitjes së një tjetër kasaforte, të shtunën në qytetin e Lezhës.
Siç duket nga pamjet e kamerave të sigurisë, 4 persona të armatosur dhe të maskuar, pasi thyejnë me një levë derën e supermarketit, në pak minuta dalin prej andej me kasafortën, të cilën e ngarkojnë në një mjet që i priste jashtë.
Policia dyshon se ky grup i rrezikshëm është përgjegjës edhe për tentativën e grabitjes së një pike të këmbimit valuator në Fushë-Krujë, por edhe disa grabitje të tjera që kanë ndodhur kohët e fundit në këtë zonë.
Ditët e fundit, grabitje me armë kanë ndodhur edhe në disa qytete të vendit. Në Fier, një qytetar humbi jetën teksa u përpoq të ndalte grabitësit e një pike këmbimi valutor, ngjatje ku mbeti i plagosur edhe pronari i biznesit.
Top Channel