Ideja e një kalendari të mundshëm negociatash dhe anëtarësimi të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk e ngroh Jean-Claude Junckerin.
“Gjatë të gjitha stacioneve të turit në Ballkan nuk premtova data anëtarësimi dhe nuk do ta bëj as në ditët e ardhshme”, thotë kreu i Komisionit Europian për “Deutsche Welle”-n.
“E gjitha varet nga substanca dhe jo nga përfytyrimet kalendarike, – shton ai. – Mua më interesojnë afatet, por jo që prej tyre të harrohet thelbësorja. Këtë e kuptuan në Maqedoni, ndërsa në Shqipëri disi më pak, sepse Shqipëria ende nuk i ka nisur negociatat”.
“Lidhur me këtë do t’i japim rekomandimet tona në prill, – vazhdon Juncker. – Unë nuk mund ta parashikoj nga këndvështrimi i sotëm sesi do të jenë këto rekomandime, sepse duhen bërë përparime thelbësore. Do të na duhet të verifikojmë që tani deri në prill, nëse do të ketë përparime të mjaftueshme e substanciale”.
Po ku konsiston dallimi mes vendeve më të avancuara dhe atyre që presin “dritën jeshile” për hapjen e negociatave?
“Serbët – përgjigjet zyrtari i lartë i BE-së, – negociojnë prej disa kohësh, ndaj dhe kanë më shumë përparime për të komunikuar në krahasim për shembull me shqiptarët, që ende nuk kanë hyrë në procesin e negociatave”.
Lidhur me çështjen e shtetit ligjor, lirinë e shtypit, reformat në gjyqësor, lufta kundër pastrimit të parave, në të gjitha këto drejtime duhet të arrihet një progres i qenësishëm.
“Në Shqipëri duhet të arrijmë shumë përparime, sepse hasim intensivisht probleme me kriminalitetin e organizuar brenda vendit, por dhe si një artikull eksporti jashtë kufijve. E kisha të qartë, – shton Juncker, – se gjatë këtij turi nuk do të isha i dëshiruar, sepse nuk premtoja asnjë datë”.
Top Channel