Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për mediat e quan të pakuptimtë, madje denigruese ndaj policisë deklaratat e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

“Ky operacion është një sukses i padiskutueshëm i agjencive ligjzbatuese shqiptare, që është finalizuar falë bashkëpunimit intensiv me Hetimin Doganor dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në këtë rast, i gjithë operacioni nga fillimi në fund është kryer pa asnjë përfshirje të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Prandaj është jo vetëm e pakuptueshme, po edhe denigruese ndaj Policisë së Shtetit dhe jo vetëm, që një drejtues i opozitës të angazhohet në një sulm tërësisht absurd, pikërisht në rastin më të mirë për të vlerësuar e përgëzuar punën e policisë e të agjencive të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e policisë së shtetit.

Në deklaratë thuhet se lufta ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës ka hyrë në një fazë të re, me rezultate të dukshme.

“Lufta e Policisë së Shtetit kundër krimit te organizuar e trafikut te drogës, ka hyrë në një fazë të re, ku rezultatet janë të dukshme e konstante dhe do të konsolidohen në vazhdim. Duke e konsideruar përfshirjen e Policisë së Shtetit, në shënjestrën e luftës politike si të dëmshme jo vetëm për trupën e policisë, po për mbarë shoqërinë Policia e Shtetit hedh poshtë çdo akuzë dhe insinuatë politike në adresë të saj dhe i siguron qytetarët se do të vijojë të zbatojë e të mishërojë forcën e ligjit për një Shqipëri të sigurtë, me rend e qetësi të garantuar për të gjithë”, përfundon deklarata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA