Kokaina në Durrës, SHBA: Policia, vigjilente; BE: Kriminelët, jo mbi ligjin

28/02/2018 18:47

Agjencia amerikane e Antidrogës, DEA, dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë përgëzuan Policinë shqiptare të Shtetit për kapjen e 614 kilogramëve kokainë.

Duke e cilësuar si sasinë më të madhe të kokainës apo heroinës që është kapur prej vitesh, ambasadori Lu shkruan se ky është një tregues pozitiv i vigjilencës së policisë, por edhe një shenjë shqetësuese se trafikimi i kokainës dhe drogave të tjera është në rritje.

Ndërsa Bashkimi Europian, duke përgëzuar policinë u shpreh në reagimin e saj se, kriminelët nuk mund të fitojnë ndaj fuqisë së ligjit.

Presideni i Republikës, duke përshëndetur aksionin e Policisë së Shtetit, u shpreh se rreziku kryesor që i vjen sigurisë kombëtare të vendit është nga fuqizimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Ndërsa kryeministri Edi Rama e quajti “operacion shembullor” me domethënie të madhe, duke ia lënë meritën plotësisht Shqipërisë, pasi – siç thotë Rama, – kësaj here nuk ka pasur sinjalizime nga vendet europiane, ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në Portin e Durrësit.

Ndërsa për Lulzim Bashën, kapja e 614 kilogramëve kokainë është një kronikë e paralajmëruar nga Partia Demokratike. Sipas Bashës, kjo ngarkesë rekord e kokainës nuk mund të kalonte nga Shqipëria pa garanci politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA