Negociator edhe denoncuesi i Meçollarit. Gjeneral Gjunkshi: Informacionin na e solli Ylber Dogjani

27/02/2018 15:03

Çështja e Artur Meçollarit, ekspert detar i Forcave të Armatosura, që akuzohet si i papërshtatshëm për të negociuar paktin detar me Greqinë, komplikohet papritur.

Praninë në grupin negociator me Greqinë të ekspertit detar Artur Meçollari, e ka kundërshtuar edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Xhemal Gjunkshi.

Sot gjenerali e ka lënë ushtrinë dhe është angazhuar në politikën aktive si deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës. Por për shkak të së shkuarës së tij në krye të ushtrisë, zoti Gjunkshi di arsyen se përse Artur Meçollarit iu ndërpre marrja e gradës gjeneral.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm bën publik edhe emrin e ushtarakut tjetër, që solli informacionet kompromentuese për Artur Meçollarin.

“AI gjatë përballjes për t’u graduar me gradën e Gjeneralit në dosjen e tij personale u gjetën dokumenta kompromentuese, që nuk e lejonin që të avanconte më përpara. Për këtë ka informacionin shumë të qartë komandanti i Forcës Detare, Ylber Dogjani, i cili në atë kohë kishte detyrën e Komandantit të Qendrës Personel-Rekrutimit dhe ka sjellë vetë dokumentacionin për të”, thotë gjeneral Xhemal Gjunkshi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm.

Top Channel kontaktoi me Ylber Dogjanin, personi që sipas ish-gjeneral Xhemal Gjunkshit ka përpiluar dokumentacionin kundër Meçollarit. Zoti Dogjani ishte i padisponueshëm, njësoj si vetë zoti Meçollari.

Ironia e çështjes është se si i denoncuari, edhe denoncuesi janë të dy anëtarë të grupit negociator dhe Ministria e Jashtme ia ka ndaluar të dymbëdhjetë negociatorëve shqiptarë që të prononcohen për mediat.

Deputeti gjeneral Xhemal Gjunkshi i njeh megjithatë ekspertit detar Meçollari përgatitjen profesionale si ushtarak detar, por është i prerë kur thotë se është i papërshtatshëm për të negociuar pikërisht me grekët çështjen e kufirit detar.

“Për mua është e prerë jo, për këta që janë në pushtet që e rikthyen dhe po e mbajnë, le të vazhdojnë me të”, thotë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA