Gjyqtarja e dënuar për korrupsion ankohet në Kushtetuese: Gjykata e Lartë s’kishte kompetencë

27/02/2018 15:20

Ish-gjyqtarja e Lartë, Majlinda Andrea i shtohet ping-pongut që po lozet prej muajsh mes Gjykatës së Lartë dhe Krimeve të Rënda për dilemën se kush duhet të gjykojë në juridiksion fillestar për çështje korrupsioni derisa të ngrihet SPAK dhe Gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Me këtë argument, Majlinda Andrea ka dalë kundër vendimit të ish-kolegëve të saj. E shpallur fajtore për korrupsion dhe e dënuar me 3 vjet shërbim prove, ish-gjyqtarja e Lartë ka dalë kundër ish-kolegëve të saj duke i konsideruar si gjykata jokompetente për gjykimin e dosjes.

Sipas burimeve, ish-gjyqtarja e lartë Andrea argumenton në padinë e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese se pas ndryshimeve të reformës në drejtësi, Gjykatës së Lartë iu hoq juridiksioni fillestar, e për këtë arsye ajo duhej të gjykohej nga gjykata e re që nuk është ngritur ende.

Çështja e ish-gjyqtares së lartë dhe e bashkëshortit të saj, Odhisea Andrea do të shqyrtohet nga Kushtetuesja në datën 20 mars.

Ndërkohë, lufta për kompetencat mes Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Lartë ka nisur prej muash. Për shkak të heqjes së juridiksionit fillestar, Gjykata e Lartë ka shpallur moskompetencën më herët për dosjet ndaj Tom Doshit, Alfred Pezës dhe Taulant Ballës, ndërkohë që Krimet e Rënda arsyetojnë se Gjykata e Lartë duhet të shoqërohet me vendim se kush duhet t’i gjykojë këto dosje, përderisa gjykata kundër korrupsionit dhe krimeve të rënda nuk është ngritur ende.

Kjo pikëpyetje është në dorën e gjyqtarëve të lartë edhe për dy qëndrime të Apelit për çështje të drogës, për të cilat në lexim të ligjit të ri duhet të kalojë në gjykatat e zakonshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA