Hysen Shehu është djali i Tefik Shehut, njëri nga 22 intelektualët që u dënuan me vdekje nga Gjykata e Lartë ushtarake në Tiranë më 27 shkurt të vitit 1951.
Në fakt, pushkatimi i grupit të intelektualëve ishte realizuar në urën e Beshirit një ditë para këtij vendimi, pasi u lidh nga regjimi me të ashtuquajturën “ngjarja e bombës në Ambasadën sovjetike”.
Për këtë arsye, Hyseni dhe të afërmit e të pushkatuarve dorëzuan 67 vite pas kësaj masakre, një kallëzim penal, duke kërkuar nga Krimet e Rënda të hetojnë për gjenocid.
“Sot jam 67 vjeç. Kur u linda në internim në Vlorë e kërkoja babain. Kur u bë babai im në moshën time e quaja si vëlla. Tani që jam 67 vjeç më duket sikur më pushkatuan djalin”, shprehet mes lotësh Hysen Shehu.
Kallëzuesit shprehen se, përveç 22 të pushkatuarve, regjimi internoi edhe familjarët e tyre.
“Kur një i burgosur kërkon ndjesë që ishte vet i dënuar, po këta që janë sot në pushtet? Asnjëri nuk ka kërkuar ndjesë. Dhe më e keqja, asnjë qeveritar nuk e ka ditur që në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit janë të varrosur 22 intelektualë”, tha më tej Hysen Shehu.
Hedhja e një sasie dinamiti në oborrin e Ambasadës sovjetike, sot Ministria e Arsimit, u pasua me arrestime masive në kryeqytet, e më pas edhe me pushkatimin e intelektualëve, që u konsideruan nga regjimi si pjesë e një grupi, pavarësisht se ata nuk kishin njohje me njëri-tjetrin.
Top Channel