Trafiku i hashashit dhe i kokainës, që më parë konsiderohej monopol i Ndragetës, tashmë po kryhen në aleancë me grupet kriminale shqiptare që po bashkëpunojnë gjithashtu edhe me Sacra Corona Unitën në Pulja.
Alarmi u dha nga prokurori i antimafias italiane Federico Cafiero de Raho menjëherë pas takimit me prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku.
De Raho deklaroi se kriminaliteti shqiptar i kësaj fushe ka kapur përveç Kalabrisë, Pulian dhe veriun e Italisë.
Duke hequr paralele me veprimtarinë e mafias italiane, De Raho përshkroi se njësoj kanë vepruar edhe organizatat shqiptare, që sipas tij kanë hyrë në ekonomi dhe kanë lidhje me politikën.
Por, prokurori kombëtar italian kundër mafias dhe terrorizmit në Itali u shfaq i shqetësuar nga trafiku i kanabisit që dërgohet nga Shqiperia nga depozitat.
Vizita e kreut të antimafias vjen në kohën kur në Shqipëri ka hetime antidrogë edhe ndaj ish-zyrtarëve të policisë që dyshohet se kanë favorizuar kultivimin dhe transportin e hashashin.
“Trafiku i kanabisit vijon të jetë shqetësim për Italinë. Edhe në takimin me Xhafajn e shpjeguam që shumë hetime janë çuar para. Është krijuar një njesi task force dhe kjo gjë është e rëndësishme. Kanabisi që prodhohet në Shqipëri sillet në Itali. Largimi i punonjësve të policisë që mund të kenë bashkëpunuar me grupet kriminale është shumë e rëndësishme. Duhet krijuar një strukturë e besushme dhe të individualizohen njerëzit e ndershëm. Gjatë punës sime kam goditur grupet kriminale që kishin lidhje në polici. Për vite këto struktura nuk kanë funksionuar në mënyrë të mirë dhe është e dukshme. Këtë na e ka thëne edhe ministri i Brendshëm. Vettingu tregon dëshirën e mirë për të luftuar krimin”, thotë prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Federico Cafiero de Raho.
Por kur prokuroria shqiptare është në pritje të disa letërporosive nga Italia, sikurse dosja Imsi Catcher dhe çështja Habilaj- Tahiri, të konsideruara nga Arta Marku si prioritare për t’u dhënë drejtim hetimeve, për De Rahon ka vetëm një rregull dhe ai është veprimi i ligjit njësoj për të gjithë.
“Ne bashkëpunojmë me të gjithë ata që kanë objektiv luftën kundër krimit të organizuar dhe mafias. Niveli jonë nuk ka folur kurrë për një person që mund të jetë politikan apo shoqëror, por kemi vetëm një rregull, që të aplikojmë gjithmonë ligjin dhe ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Çdolloj niveli politik, shoqëror, ekonomik t’i përkasin, hetimet kanë ecur gjithmonë përpara. Kjo është forca jonë”, shtoi de Raho.
Koordinimi dypalësh për të luftuar krimin e organizuar dhe të fortë ekonomikisht ishte qëllimi i takimit edhe me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, si dhe vizita në godinën e “Forcës së ligjit”.
Top Channel