Krimi shqiptar në gjithë Italinë, Prokurori italian: Drejton trafikun e kokainës

26/02/2018 11:29

Prokurori italian i antimafias konfirmoi në Tiranë atë që përflitej në raportin e inteligjencës italiane për grupet kriminale shqiptare përtej Adriatikut.

Duke folur për mediat në përfundim të takimit me kryeprokuroren Arta Marku, Federico Caliero De Raho tha se aktiviteti kriminal shqiptar është prezent dhe i shtrirë në gjithë territorin e Italisë.

“Krimi shqiptar është shumë i pranishëm në Itali dhe në aleancë me mafian italiane. Bashkëpunon me Ndraghetën, Sacra Corona Unita e grupe të tjera kriminale. Ka një shtrirje edhe në veri të vendit dhe së fundi drejton edhe trafikun e kokainës”, thotë De Raho.

Sipas prokurorit italian, shqetësues është aktiviteti në trafikun e kokainës, por edhe përfshirja në trafikun e drogërave më të lehta dhe të armëve.

Pak ditë më parë, shërbimi inteligjent i antimafias në Itali ka dorëzuar në komisionet e sigurisë të Parlamentit italian raportin për vitin 2017.

Ajo që bie në sy në këtë raport, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, është rritja e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare, që për “007” italianë konsiderohet mafia më e rrezikshme e huaj.

Raporti thekson se grupet shqiptare shtrijnë aktivitetin e tyre në të gjitha fushat e paligjshme, që nga trafiku i drogës, prostitucioni, grabitjet, gjobëvënia e deri tek vrasjet.

DIA (Direzione Investigativa Antimafia) thekson në raport se ndryshe nga mafia kineze dhe ajo afrikane, të cilat kanë rritur edhe ato aktivitetin e tyre në Itali, ajo shqiptare po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme për faktin se është më bashkëpunuese me mafian vendase, por shumë herë më e dhunshme se ajo.

Inteligjenca italiane shkruan në raport se grupet mafioze shqiptare janë importuesit kryesorë të drogërave të forta që mbërrijnë nga Azia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA