Katër persona humbën jetën në Leicester të Britanisë së Madhe, nga shpërthimi i fuqishëm i së dielës mbrëma që shkatërroi një minimarket, duke shkaktuar një zjarr të fuqishëm që preku edhe apartamentet e ndodhura sipër tij.
Policia thekson se mund të ketë edhe të zhdukur. Po 4 janë të shtruarit në spital me plagë e djegie të ndryshme. Një prej tyre është në gjendje të rëndë.
Autoritetet e sigurisë deklarojnë se, të paktën për momentin nuk ka elementë që të lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një akt terrorist.
Shpërthimi thuajse e shkatërroi tërësisht godinën dykatëshe. Dyqani i ndodhur atje, fillimisht i përkiste disa londinezëve, por më vonë ishte kthyer në market polak.
Pas shpërthimit, disa ndërtesa rreth e rrotull mbetën pa energji elektrike, por ajo u rikthye shpejt. Zyrtarët në vendngjarje këmbëngulin se është ende shpejt për të dalë në përfundime lidhur me shkakun e incidentit.
Top Channel