Për shkak të impenjimit në Parlament, ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri kapërceu pragun e Krimeve të Rënda jashtë orarit zyrtar, ku dhe u pyet si dëshmitar mbi dëmin e shkaktuar shtetit në projektin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Ministri Gjiknuri, u pyet për më shumë se një orë nga Prokurorja e dosjes Elisabeta Imeraj, e cila javën e kaluar kërkoi t’i jepnin shpjegime edhe dy ish-ministrat Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj. Edhe Damian Gjiknuri ishte në organin e akuzës në cilësinë e personit që ka dijeni, përderisa depozitoi kallëzimin për shpërdorim detyrë ndaj ish-zyrtarëve të autoritetit rrugor.
“Nuk jam këtu për të bërë hetime. Jam shprehur në raportin e auditit tim dhe njëkohësisht i deklarova në Prokurori”, tha Gjiknuri.
Prokurorja Elisabeta Imeraj dyshon se në zbatimin e projektit për aksin Tiranë-Elbasan zyrtarë e ish-zyrtarë kanë shpërdoruar detyrën e kryer korrupsion, dukë i sjellë shtetit një dëm prej rreth 80 milionë euro.
Ndërkohë që demi i konstatuar nga auditi i Ministrisë llogaritet në rreth 54 milionë dollarë. Akuza dyshon se janë kryer mbi 12 ndryshime të kontratës për ndërtimin e rrugës duke shmangur këshillin teknik dhe bordin, e për këtë arsye pas pyetjes së zyrtarëve të lartë radha për t’u paraqitur është e tyre. Aktualisht nën arrest për këtë abuzim janë tre ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor.
Top Channel