“Veliera”, e bllokuar në gjykatë. Beton dhe inerte në qendër të Durrësit

25/02/2018 12:32

Projekti për rregullimin e sheshit para Portit të Durrësit, i njohur ndryshe si “Veliera” për shkak të elementit velë në arkitekturën e tij, vazhdon të qëndrojë i bllokuar, në pritje të zbardhjes së vendimit të dhënë nga Gjykata Administrative në lidhje me punimet në zonën arkeologjike.

Por, sheshi është kthyer në një shqetësim për banorë e vizitorë.

“Kemi 35 vite në Durrës dhe këtë gjendje nuk e kishim parë ndonjëherë. Veliera është katastrofë, është prishur arkitektura dhe bukuria e Durrësit. Është mbyllur hyrja e portit. Vijnë kroçerat e turistët nuk dinë ku të dalin e të hyjnë”, thonë banorët.

Pas pezullimit të punimeve në shkurt të vitit të kaluar, Gjykata Administrative në Durrës vendosi këtë vit rinisjen e tyre, duke përjashtuar zonën A, ku janë bërë zbulime arkeologjike. Palët e përfshira në proces, përkatësisht shoqëria civile e përfaqësuar nga MENV Group si palë paditëse dhe Bashkia e Durrësit, si palë e paditur, kanë mbetur të pakënaqur e të paqartë nga ky vendim dhe po presin zbardhjen e tij, për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt ankimimit ose vijimit të punimeve.

Paditësit që kërkojnë shpalljen e “Velierës” një ndërtim të paligjshëm, kanë deklaruar se do ta dërgojne çështjen në Gjykatën e Strasburgut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA