Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i shoqëruar nga Komisioneri Europian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, ndodhen në Tiranë në kuadër të turit Ballkanik, ku po prezanton strategjinë e zgjerimit dhe rikonfirmojnë mbështetjen për integrimin e rajonit në BE.
Rreth orës 18:10 minuta Juncker dhe delegacioni që e shoqëron mbërritën në Kryeministri, ku po vijon takimi me Kryeministrin Rama dhe rreth orës 19:15, do të dalin në një konferencë të përbashkët shtypi për gazetarët.
Zyrtarët e lartë europianë nesër do të takojnë edhe Presidentin Ilir Meta, ndërsa komisioneri Hahn do të ketë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Udhëtimi i tyre do te vijojë ne Beograd, Podgoricë, Sarajeve dhe Prishtinë, ndërsa do të mbyllet në Sofje, në kryeqytetin e vendit që ka presidencën e radhës se Bashkimit Europian për këtë 6 mujor.
***
Në turin e tij në Ballkan, më herët gjatë ditës, Juncker u ndal në Maqedoni. Kreu i Komisionit Europian nuk ka dhënë një datë për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, por ka thënë se vendi është në rrugë të drejtë. Ai prezantoi strategjinë e BE për zgjerimin. Presidenti i Komisionit Evropian tha se Maqedonia ka bërë kohët e fundit shumë reforma impresionuese.
Juncker, ndërkohë nuk ka preferuar të flasë për çështjen e emrit, duke thënë se ajo duhet zgjidhur nga Maqedonia dhe Greqia.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryeministri Zoran Zaev falenderoi zyrtarët e BE që zgjodhën Maqedoninë si etapën e parë të turit të tyre ballkanik. Ai u shpreh i bindur ndërkohë se në qershor, vendi do të nisë bisedimet për anëtarësim në BE.
Top Channel