Foto arkiv

Dëbora ka shtuar intensitetin në rajonin juglindor të vendit gjatë orëve të mesditës, duke krijuar probleme në qarkullim.

Reshjet e dendura të dëborës në zonën e Dardhës kanë krijuar probleme, duke bërë që rruga të jetë e qarkullueshme me duke përdorur zinxhirët.

Ndërkohë edhe Kukësi është përfshirë nga reshje e dëbore, stuhi dhe ulje të menjëhershme të temperaturave. Për këtë arsye, ka pasur vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe shkak më së shumti janë bërë ngricat.

Kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve janë në terren për hedhjen e kripës. Rruga e Kombit është e hapur, ndonëse ka në të prezencë të borës dhe ngricave. 8 borëpastruese për hedhjen e kripës dhe largimin e borës janë duke vepruar në dy anët e rrugës, ndërsa policia ka shtuar numrin e patrullave, duke këshilluar drejtuesit e automjeteve.

Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe në Qarkun e Dibrës për shkak të reshjeve të borës. Njësitë administrative Lurë, Kalaja e Dodës, Selishtë, Trebishtë dhe Ostren janë të bllokuara.

Trashësia e borës në këto njësi administrative ka arritur deri në 35 cm. Rruga nacionale Kukës-Peshkopi kalohet me vështirësi, e bllokuar është dhe ura e Cerenecit.

Probleme janë shfaqur edhe në Bulqizë, e cila njihet si një ndër zonat më të ftohta të Qarkut Dibër. Qyteti është zgjuar këtë mëngjes i mbuluar nga bora si dhe me prani të madhe ngricash në rrugë, duke u kthyer në problem për qarkullimin e mjeteve. Ulja e temperaturave deri në minus 7 gradë është shoqëruar, përveç borës, edhe me erë të fortë.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes, përmes një njoftimi për shtyp, bën të ditur se bashkë me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura po ndjek me vëmendje situatën e motit të keq dhe grupi i vlerësimit i Qendrës së Bashkuar Operacionale dhe përfaqësues të Drejtorisë Operacionale janë në krye të detyrës. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, më problematike situata paraqitet në Qarkun e Dibrës dhe Kukësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA