Shtetet e Bashkuara hapin në maj Ambasadën në Jeruzalem

23/02/2018 21:17

Shtetet e Bashkuara do ta hapin Ambasadën e tyre të re në Jeruzalem në muajin maj. Kështu njoftoi një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit këtë të premte, duke dhënë shumë më herët nga sa pritej përmbushjen e angazhimit kontrovers të bërë nga presidenti amerikan, Donald Trump.

“Në maj, Shtetet e Bashkuara planifikojnë të hapin Ambasadën e re në Jeruzalem”, deklaroi zëdhënësja Heather Nauert. “Hapja e Ambasadës së re do të koinçidojë me 70-vjetorin e Izraelit”.

Trump njoftoi në fund të vitit të kaluar njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, e rrjedhimisht nisjen e përgatitjeve për të zhvendosur selinë diplomatike amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem, pavarësisht kundërshtive të ashpra nga zyrtarët palestinezë.

Statusi i Jeruzalemit mbetet ende pika kyçe në çështjen e negociatave të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, me secilën palë që kërkon ta ketë qytetin e shenjtë si kryeqytet të zgjidhjes dyshtetërore të mundshme.

Muajin e kaluar, zv.presidenti Mike Pence tha përpara Parlamentit izraelit “Knesset”, se Ambasada e re do të hapej “përpara fundit të këtij viti”.

Lëvizja e planifikuar e ambasadës nxiti një sërë trazirash dhe protestash anembanë Lindjes së Mesme, me zyrtarë të Autoritetit Palestinez që fajësonin Trumpin se vuri një pengesë të madhe në negociata.

Gjatë një takimi dypalësh mes Trumpit dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, muajin e kaluar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, presidenti tha se çështja e ambasadës ishte “jashtë tryezës” për diskutime.

Ndërkohë, një diplomat palestinez, Saeb Erekat reagoi ndaj këtyre fjalëve.

“Jeruzalemi nuk është larguar nga tryeza e negociatave, përkundrazi janë Shtetet e Bashkuara që po dalin përtej konsensusit ndërkombëtar”, tha Erekat në deklaratën e tij, sipas medieve izraelite. “Ata që thonë se Jeruzalemi është jashtë tryeze, po thonë se paqja nuk mund të diskutohet. Qyteti i shenjtë është në zemrën e çdo palestinezi, arabi, të krishteri dhe myslimani, e nuk mund të ketë paqe pa Jeruzalemin Lindor, si kryeqytet sovran i shtetit të Palestinës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA