Anëtarët e ardhshëm përçarës të Bashkimit Europian. Kështu iu referohet britanikja “Express” Shqipërisë dhe Maqedonisë, vende që – siç thotë ajo, – pritet të nisin bisedimet për anëtarësim këtë verë.

E në një sinjal të qartë se blloku është i vendosur për zgjerim, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, dhe Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, do të vizitojnë javën e ardhshme të dyja vendet, ashtu si dhe Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi e Kosovën.

“Kjo lëvizje pritet të sjellë përçarje të mëdha brenda BE-së – thotë “Express”, – me disa vende që janë tejet hezituese, përfshirë edhe Gjermaninë, ndërsa të tjerë duan ta përshpejtojnë procesin”.

Media britanike përmend deklaratën e Hahn për “Die Welt”, kur thotë se KE do të rekomandojë së shpejti, me shumë gjasë në verë, hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Të gjashta vendeve të Ballkanit u është premtuar aderimi që në vitin 2003, por procesi është vonuar për shkak të shqetësimeve se nuk është bërë mjaftueshëm për plotësimin e kushteve.

“Ndarjet brenda BE-së u panë edhe gjatë takimit të ministrave të Jashtëm në Bullgari javën e kaluar”, vijon “Express”. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel tha pas takimit se situta në Serbi dhe Kosovë ishte e vështirë.

Gjatë turneut në Ballkanin Perëndimor, dy zyrtarët e lartë të BE-së pritet të inkurajojnë vendet e rajonit që të realizojnë reformat dhe të prezantojnë nisma të reja mbështetëse për procesin e transformimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA