Një polic i armatosur i caktuar në shkollën në Florida ku një person i armatosur vrau 17 vetë, javën e shkuar, kish qëndruar jashtë ndërtesës gjatë të shtënave dhe nuk kishte ndërhyrë. Oficeri, Skot Peterson ka dhënë dorëheqjen pasi më parë ishte pezulluar, tha sherifi i kontesë, Scott Israel.
Sherifi Israel tha se Peterson ndodhej në kampus, i armatosur dhe me uniformë, kur nisën të shtënat. Ai tha se pamjet video e tregonin atë të arrinte në ndërtesën ku ndodhi ngjarja rreth 90 sekonda pas të shtënave të para dhe ai kishte qëndruar jashtë për katër minuta. Sulmi ndërkohë zgjati gjithsej gjashtë minuta.
“Ai qëndroi pa bërë asgjë. Duhej të kishte hyrë brenda, të përballej me vrasësin e ta vriste atë”, u shpreh Israel.
Oficerët e policisë në shkolla janë përgjegjës për sigurinë dhe parandalimin e krimit në këto ambiente. ka nga 14 deri në 20 mijë oficerë të tillë në SHBA.
Më herët, presidenti Donald Trump tha se armatosja e mësuesve të shkollave mund të parandalonte përsëritjen e masakrave të ngjashme. Propozimi në fakt është mbrojtur prej kohësh nga shoqata kombëtare e armëve. Të enjten, në komentet e para që pas masakrës, shoqata akuzoi demokratët dhe median se po keqpërdornin sulmin në Florida.
Top Channel