Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë sërish mbi një rezolutë për t’i dhënë fund gjakderdhjes në enklavën siriane të kontrolluar prej rebelëve.
Emmanuel Macron dhe Angela Merkel i kanë shkruar të premten presidentit rus, Vladimir Putin, që ta mbështesë rezolutën për armëpushim në Siri të Këshillit të Sigurimit, për të ndalur një prej fushatave bombarduese më vdekjeprurëse të luftës civile siriane.
Letra, e cila është dërguar teksa presidenti francez dhe kancelarja gjermane ndodheshin në Samitin e BE-së në Bruksel, i kërkon Rusisë të mbështesë projektrezolutën që bën thirrje për një paqe 30-ditore, kryesisht për të lejuar mbërritjen e ndihmave në Ghoutën Lindore të rrethuar, e për të lejuar evakuimin e civilëve.
Këshilli i Sigurimit pritet të votojë mbi këtë projektrezolutë këtë të premte.
Edhe shefja e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe për shpërndarjen e ndihmave në enklavën siriane të kontrolluar prej rebelëve, pas vdekjes së mbi 400 civilëve.
“Masakra në Ghoutën Lindore duhet të ndalet tani. Bashkimi Europian nuk ka më fjalë për të përshkruar horrorin që po përjetohet nga njerëzit në Ghoutën Lindore”, shkruhet në deklaratën e Mogherinit.
Të paktën 436 njerëz janë vrarë dhe qindra e qindra të tjerë janë plagosur, sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup monitorues me seli në Britaninë e Madhe. Mes viktimave janë edhe të paktën 99 fëmijë.
Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm rus, u tha agjencive ruse të lajmeve se Moska është gati të votojë pro rezolutës këtë të premte, pavarësisht se bllokoi me veto një lëvizje të ngjashme ditën e enjte.
Rusia, një aleate e regjimit sirian të Bashar al-Assadit, propozoi disa amendamente për projektrezolutën e hartuar nga Suedia dhe Kuvajti, të enjten, duke argumentuar se gjuha e përdorur ishte jorealiste dhe se Këshilli 15-anëtarësh i Sigurimit nuk mund të vendosë thjesht një armëpushim në Siri, pa u konsultuar më parë me palët në terren.
Top Channel