Bombardimet ajrore 5-ditore në Ghoutën Lindore, në Siri, u kanë marrë jetën 403 civilëve, mes të cilëve 95 fëmijë.
Lajmi bëhet i ditur nga Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër.
Të paktën 46 civilë kanë humbur jetën brenda një dite të vetme, të enjten. Më 18 shkurt, ushtria kishte përforcuar pozicionet e saj përreth bastionit të fundit të opozitarëve, pranë Damaskut, me qëllim që të niste edhe ofensiva tokësore.
Sipas një të përditshmeje të afërt me qeverinë siriane, fushata e re e bombardimeve mbi Ghoutën është prelud për një ofensivë tokësore të forcave qeveritare.
Që më 5 shkurt, ushtria siriane kishte nisur sulmet mbi Ghoutën Lindore, duke i marrë jetën 250 civilëve në 5 ditë dhe duke plagosur me qindra të tjerë.
Sulmet hakmarrëse të rebelëve në Damask, ndërkohë, shkaktuan rreth 20 viktima. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, situata në Ghouta është katastrofike dhe banorët janë mbërthyer mes luftimeve pa ushqime apo ilaçe.
OKB-ja ka bërë apel për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve, me Sekretarin e Përgjithshëm Antonio Guterres që flet për një “ferr mbi tokë”.
“Ne po presim radhën për të vdekur. Vetëm kaq mund të them”, kështu shprehet 22-vjeçari Abu Salah, bashkëshortja e të cilit është pesëmuajshe shtatzënë, me fëmijën e parë të tyre.
Top Channel